Sali Berisha: Dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Astrit Kalaja, vrasja në sallën e gjyqit tregon dështimin e plotë të reformës së sistemit të drejtësisë

Ditën e sotme, në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar me forcë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra dje me armë zjarri në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit.

Berisha u shpreh se; vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror, sepse vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.

Berisha: Duke ruajtur ndjeshmërinë e plotë ndaj reagimeve që më pëlqejnë apo nuk më pëlqejnë në tërësi dhe në veçanti ndaj rastit konkret, dua të përsëris qëndrimin tim të prerë se nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja.

Por me këtë rast dua të theksoj se ekzekutimi publik në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja sikur të ishte në një kafene apo mejhane të qytetit, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Në këtë kuadër, vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre. Kjo ka vetëm një shpjegim, zëvendësimin e shtetit, e ligjit me Maliqin.


Shtuar 7.10.2025 13:24