Ministri i Drejtësisë: Ndëshkim me të gjithë forcën e ligjit aktit kriminal, siguria e njerëzve të drejtësisë, vijë e kuqe që s’duhet kaluar!

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dënoi sot aktin e rëndë kriminal të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, teksa jepte një vendim për çështje pronash.

Ai e cilësoi kapërcim të vijës së kuqe cenimin dhe sulmin ndaj njerëzve të drejtësisë, duke njoftuar gjithashtu edhe ashpërsimin e Kodit penal për armëmbajtjen pa leje, si dhe rritjen e sigurisë së brendshme në Gjykata.

Lamallari dënoi krimin dhe kërkoi dënimin me të gjithë forcën e ligjit të rastit. Në fund ai shprehu edhe ngushëllimet për familjen e gjyqtarit.

Reagimi i plotë i ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari:

“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cenojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.

Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.

Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore.

I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!


Shtuar 6.10.2025 18:43