Drejtuesi i partisë ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj nuk do të jetë pjesë e organizimit të përbashkët të opozitës për zgjedhjet e një kandidati të përbashkët përfaqësues për të marrë pjesë në garën e Bashkisë së Tiranës kundër Ogerta Manastirliut, nga kampi i Partisë Socialiste.
I ftuar në emisionin ‘Opinion’ së bashku me drejtuesit dhe përfaqësuesit e tjerë opozitarë, Lapaj deklaroi se nuk dëshiron të bëhet pjesë e një procesi partiak.
“Nuk dua të jem ai që prish festën! Por mënyra si po procedohet nuk është e duhur, po procedohet përmes një kandidati partiak. Po flasim për një qytet me afro 700 mijë votues, 600 e ca mijë, qyteti më i madh. Po flasim për elektoratin më të madh në vend”, deklaroi ai.
Kujtojmë që nga ky bashkim opozitar, i përjashtuar që prej fillimit është Arlind Qori i partisë ‘Lëvizja Bashkë’.