Françeska Murati, ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, është përballur me një moment të frikshëm pasi persona të paidentifikuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në banesën e saj në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin luksoz ku ajo jeton prej muajsh, pas rikthimit të saj nga Londra.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Françeska ka ndarë me ndjekësit një video ku tregon derën e dëmtuar të shtëpisë dhe gjurmët e tentativës për thyerje. “Dikush ka tentuar të na hyjë në shtëpi.
Kanë shkatërruar derën. Keni kujdes porositë që pranoni në shtëpi”, ka shkruar ajo, duke lënë të kuptohet se incidenti mund të jetë lidhur me një dorëzim i dyshimtë.
Ngjarja vjen vetëm pak muaj pasi apartamenti i saj i ri në Tiranë u përfshi në një tjetër incident, kur u raportua për një zjarr të papritur që shpërtheu brenda banesës.
Edhe pse ende nuk ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj tentative për vjedhje apo ndonjë hetim të nisur nga autoritetet, Françeska ka bërë thirrje për kujdes nga ndjekësit e saj, sidomos për ato që pranojnë porosi në banesë.
Pas eksperiencës në BBVIP dhe rikthimit në vëmendjen publike, Françeska duket se po përjeton edhe anët më të vështira të jetës në qendër të vëmendjes.