Vdekja e ish-gruas së Alban Hoxhës pas lindjes së djalit, nëna e të ndjerës shpërthen në lot në gjykatë

“Më djeg shpirti, më dhemb zemra, dua drejtësi”. Këto janë fjalët e nënës së Doriana Hakës, ish-gruas së portierit Alban Hoxha e cila ndërroi jetë dy javë pasi lindi djalin për shkak të komplikacioneve, ndërsa drejtësia ende s’ka folur nëse kemi të bëjmë me neglizhencë nga stafi mjekësor i spitalit. Hamide Haka me lot në sy tha para gjykatësit se nipi i saj po rritet pa nënë dhe gjykata ende s’ka dhënë drejtësi.

“Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi pati një ballafaqim mes ekspertëve pyetje përgjigje, zgjati pak gjatë dhe u revoltova dhe fola në seancë të gjyqit, shpresoj që gjyqtarët ta marrin parasysh, më djeg shpirti, më dhemb zemra.

Shpresoj tek një drejtësi e vonuar por jo e harruar. Dori im do drejtësi, një fëmijë që rritet pa nënë do drejtësi, ju lutem gjyqtar më shikoni, kam të drejtë prandaj kam kërkuar të merrem me gjykatat jo gjë tjetër, thjesht dua drejtësi, drejtësi pa fund”, tha Hamide Haka.

Ndërsa sipas babait të së ndjerës, çështja po zvarritet nëpër gjykata. Enver Haka thotë se nuk i jep dot shpjegim. Sakaq, Enveri shton se nuk do t’i ndahet kësaj çështjeje derisa të vdesë.

“Kam 11 vite që robtohem nëpër gjykata, nuk di si ta shpjegoj. Presim nga gjykata e apelit të na jepet një drejtësi që nuk po na jepet, po na sorollatin, shty seanca, po bëhet 3 vjet tek Gjykata e Apelit.

Dua vetëm drejtësi dhe nuk do ti ndahem këmba këmbës derisa të kem jetën, derisa të mbyll sytë, nuk e fal kështu, drejtësi vetëm drejtësi asgjë tjetër shikoj nga gjykata hap sytë vetëm nga gjyqtarët si po japin vendimin se 11 vite”, pohoi Enver Haka.

Avokati i familjes Haka, Bashkim Sulstarova deklaroi për mediat se trupa gjykuese në Apel dëgjoi ekspertët dhe se pret një vendim të drejtë.

“Nga gjykata ne presim drejtësi ashtu siç pretendojnë edhe familjarët dhe kemi besim se trupi gjykues bazuar në provat që do të shqyrtojnë në një analizë të përgjithshme do të dalin në një përfundim të drejtë të bazuar në prova dhe ligj”, tha Bashkim Sulstarova.

Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën. Enver Haka, babai i Dorjana Hakës, ka paditur në gjykatë Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Glozheni”. Enver Haka pretendonte asokohe se gjithçka ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe mjekimit të gabuar.


Shtuar 30.09.2025 21:37