Prokuroria dërgon për gjykim 60-vjeçarin në Fier që ngacmoi seksualisht vajzën e mitur

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 60-vjeçarin Shpëtim Lazaj i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Organi i akuzës bën me dije se 60-vjeçari disa muaj më parë ka prekur vajzën e mitur në pjesë intime të trupit, madje dyshohet se i moshuari i ka dhurua para në shkëmbim të puthjeve.

E mitura pas ngacmimit ka kontaktuar mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.

Ngjarja ka ndodhur më 1 prill të 2025, ndërsa Shpëtim Lazaj akuzohet për veprën penale ‘Ngacmim seksual’.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Sh.L. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ parashikuar nga neni 108/a, pg.2 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.415, datë 01.04.2025, u provua se shtetasi Sh.L., ka kryer veprime konkrete të natyrës seksuale në dëm të të miturës, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga neni 108/a pg.2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera rezultoi se personi nën hetim Sh.L. me veprime aktive të kundraligjshme, konkretisht prekje në pjesë të ndryshme të trupit, ka cenuar dinjitetin e të miturës duke përfituar nga mosha e re dhe gjendja e saj sociale. Personi i pandehur Sh.L., i ka dhuruar para si dhe ka kërkuar të shkëmbejë puthje intime me të. E mitura pas ngacmimit ka kontaktuar mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.

I pandehuri Sh.L është hetuar me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cënojnë apo dëmtojnë mirëqënien dhe zhvillimin normal të të miturve. Gjithashtu, inkurajon bashkërendimin e strukturave bazë si mësuesit, psikologët e shkollave dhe shërbimet sociale pranë bashkive me qëllim identifikimin e rasteve dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.


Shtuar 30.09.2025 16:18