Kristjan Asllani ka zbuluar se vështirësitë e fillimit të aktivizimit të tij te Torino, kanë të bëjnë me faktin se ai tashmë po mësohet të luajë me një mënyrë tjetër loje, pasi klubi i tij i ri luan me një sistem me dy mesfushorë në qendër.
Asllani më para ka luajtur si te Empoli, ashtu edhe te Interi, në një mesfushë me tre në qendër dhe futbollisti shqiptar ka shpjeguar se tashmë po përpiqet të përshtatet sa më shpejt në këtë mënyrë loje.
“Po, unë sinqerisht kam preferuar gjithmonë që të luaj me tre, me një para mbrojtjes, por tani këtu po luajmë me dy në qendër dhe ndjehem mirë. Padyshim duhet të përmirësohem, pasi është diçka e re për mua, është një gjë e re edhe në fazën mbrojtëse, pasi kur luan me dy dhe të bësh markimin një për një, duhet të ndjek mesfushorin tjetër në të gjithë fushën.
Ndaj është një gjë e re, por jam i lumtur dhe do të mundohem gjithmonë të përmirësohem ndeshje pas ndeshje, pasi është një gjë e rëndësishme”, tha Asllani për mediat para ndeshjes së klubit të tij përballë Parmës në Serinë A.