Madonna flet për herë të parë: ‘Nuk do isha gjallë pa jetën shpirtërore’

Madonna, mbretëresha e muzikës pop, ka ndarë një anë më të thellë dhe shpirtërore të vetes në një intervistë të rrallë për podcastin “On Purpose” me Jay Shetty. Në episodin që publikohet nesër, këngëtarja 67-vjeçare flet hapur për rëndësinë që ka pasur spiritualiteti në jetën dhe karrierën e saj.

“Nuk do të isha këtu nëse nuk do të kisha një jetë shpirtërore,” thotë ajo, duke shtuar se suksesi i vërtetë është i lidhur ngushtë me lidhjen shpirtërore. Madonna njihet prej vitesh për përkushtimin ndaj Kabalas, tradita mistike hebraike që ajo e përqafoi në vitin 1996.

Gjatë intervistës, ajo shpjegon se besimet e saj kanë ndikuar thellësisht në aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut dhe në mënyrën si e sheh botën. “Qëllimi i shpirtit tim është të zbuloj dritë në botë, përmes gjithçkaje që bëj,” thotë Madonna.

Në pjesën e dytë të episodit, ajo bashkohet me mësuesin e saj të Kabalas, Eitan Yardeni, me të cilin ka lançuar një kurs të ri: “Studimet Mistike të Zohar-it”.

“Urtësia shpirtërore nuk vlen kur çdo gjë ecën mirë,” shton Madonna. “Ajo është më e vlefshme kur përballesh me sfida dhe kur kujton që gjithçka mund të ndryshojë në çdo moment.”

Së fundmi, ajo ka njoftuar rikthimin te Warner Records, për një album të ri dance, duke u kthyer “aty ku gjithçka filloi”.


Shtuar 29.09.2025 13:19