Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Salari të Tepelenës, ku një shtetas italian u gjet i vrarë me armë zjarri në mes të rrugës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Edoardo Sarchi, 44 vjeç, një biznesmen italian që jetonte dhe punonte në Shqipëri. Ai ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë dhe banues në kryeqytet.
Trupi i pajetë i Sarchit u gjet rreth orës 00:30 në vendin e quajtur “Dilan” në fshatin Salari, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur menjëherë pas ngjarjes dhe i drejtuar nga Prokuroria, po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të krimit dhe për të identifikuar autorin ose autorët.
Policia e Shtetit po bashkëpunon me Drejtoritë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë përmes kontrolleve të shumta në zonë, ndërkohë që vijojnë kërkimet për shtetasin me iniciale G. B., i shpallur më herët në kërkim si autor i dyshuar.