Familja mbretërore e Abu Dhabit bëhet aksionere kryesore në TikTok US pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump

Familja mbretërore e Abu Dhabit, përmes fondit MGX të udhëhequr nga Sheiku Tahnoon bin Zayed Al Nahyan, do të bëhet një nga aksionerët kryesorë të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja u arrit pas një urdhri ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili kërkon transformimin e pronësisë së TikTok në favor të entiteteve amerikane dhe aleateve të tyre strategjike.

Sipas kushteve të marrëveshjes, MGX do të zotërojë 15% të TikTok US dhe do të ketë një vend në bordin drejtues të kompanisë. Konsorciumi i përbërë nga Oracle, Silver Lake dhe MGX do të kontrollojë së bashku rreth 45% të aksioneve, ndërsa aksionarët amerikanë do të zotërojnë mbi 65% në total. ByteDance, kompania mëmë kineze, do të ruajë një pjesëmarrje prej 19.9%.

Trump e përshkroi marrëveshjen si një fitore për sigurinë kombëtare dhe kontrollin amerikan mbi një platformë me ndikim global. Ai përmendi ndër investitorët amerikanë emrat e Larry Ellison, Michael Dell dhe grupin Fox të Rupert Murdoch. “Kjo do të jetë një kompani krejtësisht amerikane, pa ndikim të huaj,” deklaroi Trump.

Zëvendëspresidenti JD Vance tha se marrëveshja vlerëson TikTok US me 14 miliardë dollarë dhe synon garantimin e privatësisë së përdoruesve. Reagimi nga pala kineze pritet, megjithëse Trump ka pohuar se ka marrë mbështetjen paraprake të presidentit Xi Jinping.


Shtuar 26.09.2025 13:58