Kryebashkiaku socialist i Kolonjës, Erion Isai është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Mësohet se ai akuzohet për shkelje të shumta në kryerjen e tenderave dhe ankandeve publike, gjatë drejtimit të bashkisë.
Hetimet ndaj procedurave të prokurimeve publike në Bashkinë e Kolonjës kanë nisur disa vite më parë. Erion Isai ka qenë për herë të parë në dyert e SPAK në vitin 2023, kur ka deklaruar për mediat pas marrjen në pyetje, se hetimet kishin lidhje me tenderat.
“Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, kam qenë i thirrur si person që ka dijeni. Ka lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë por si institucion në dijeni. Së kë po heton i takon prokurorisë, unë jam pyetur si person që ka dijeni”, është Erion Isai në 2023.
Për herë të dytë, ai u paraqit para organit të akuzës në Janar 2025. Erion Isai i shtohet kryebashkiakëve socialistë që shkelja e rregullave në procedurat publike të prokurimeve i kanë çuar në dyert e prokurorisë.
Kryebashkiaku i Kolonjës akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Shkelje të parimeve të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”.
Procedurat e prokurimit të kryera nga Bashkia e Kolonjës janë hetuar nga Prokuroria e Posaçme dhe nga kontrolli ka rezultuar se shumica e tyre janë të shënuar me “flamur të kuq”, sepse fituesi ka qenë i paracaktuar dhe punimet nuk janë kryer sipas parashikimeve ligjore.
Erion Isai drejton Bashkinë e Kolonjës prej vitit 2019, kur socialistët vendosën t’i besonin aktorit të humorit, ndërsa në vitin 2023 ai arriti të siguronte dhe një mandat të dytë për bashkinë e vogël në juglindje të vendit.