Trump e shpall Charlie Kirk dëshmor, akuzon të majtën për dhunën: Një nga dritat më të ndritura të kohës sonë

Presidenti Donald Trump, e quajti të dielën aktivistin konservator të vrarë Charlie Kirk, “dëshmor për lirinë amerikane” dhe premtoi gjatë shërbesës përkujtimore se do ta vazhdonte veprën e tij, ndërsa përsëriti akuzat ndaj asaj që e quajti “e majta radikale” për vrasjen e Kirk.

“Dhuna vjen kryesisht nga e majta”, tha Trump.

Trump ka fajësuar të majtën për të shtënat vdekjeprurëse edhe para se të arrestohej një i dyshuar.

“Më pak se dy javë më parë, vendit tonë iu rrëmbye një nga dritat më të ndritura të kohës sonë, një gjigant i brezit të tij, dhe mbi të gjitha, një bashkëshort, baba, bir, i krishterë dhe patriot i përkushtuar. Charles James Kirk u vra mizorisht nga një përbindësh i radikalizuar, gjakftohtë, vetëm pse foli të vërtetën që kishte në zemër.

Kirk nuk i urrente kundërshtarët e tij. Ai u donte më të mirën atyre. Aty është vendi ku unë nuk jam dakord me Charlie. Unë e urrej kundërshtarin tim dhe nuk i dua më të mirën atij. Më vjen keq. Më vjen keq, Erika.

Ai tani është më i madh se kurrë më parë, dhe ai është i përjetshëm. Është i përjetshëm. Dhe thjesht dua të them se e duam, dhe ai po na sheh nga lart tani dhe po thotë: ‘Wow, ç’ turmë e mrekullueshme””, tha Trump.

Ceremonia, e organizuar nga organizata konservatore e të rinjve Turning Point USA, e themeluar nga Kirk, mblodhi dhjetëra mijëra pjesëmarrës të veshur me të kuqe, të bardhë dhe blu, të cilët mbushën stadiumin State Farm në Glendale, Arizona.

Miqtë e Kirk dhe konservatorë të tjerë, e lavdëruan si një të krishterë frymëzues që themeloi një lëvizje politike, të cilën ata u zotuan se do ta çonin përpara.

Bashkëshortja e tij, Erika, e cila ka marrë drejtimin e Turning Point, mbajti një homazh emocional për burrin e saj, duke parë nga qielli dhe duke pëshpëritur: “Të dua”, përpara se të fliste për përkushtimin e tij ndaj Krishtërimit, familjes dhe aktivizmit. Çifti Kirk kanë dy fëmijë të vegjël.

“Dua që të gjithë ju ta dini, se megjithëse Charlie vdiq shumë herët, ai ishte i përgatitur të vdiste”, tha ajo.

Ai e la këtë botë pa pengje. Ai bëri 100% të gjithçkaje që mundi çdo ditë”, vijoi Erika.

Ajo ofroi gjithashtu falje për 22-vjeçarin që është akuzuar për vrasjen e Kirk, duke cituar rrëfimin biblik ku Jezu Krishti i fali torturuesit e tij ndërsa ishte në kryq.

“Burri im Charlie donte të shpëtonte të rinj, ashtu si ai që ia mori jetën”, tha ajo me lot në sy, ndërsa turma duartrokiste solemnisht.

Disa figura politike e paraqitën vdekjen e Kirk si një moment vendimtar për lëvizjen konservatore, duke u bërë thirrje ndjekësve që të përfundonin punën që ai nisi, shpesh me gjuhë të ashpër.

“Ne do ta mbajmë Charlie-n dhe Erikën në zemër çdo ditë, dhe do të luftojmë edhe më fort për shkak të asaj që na bëtë,” tha Stephen Miller, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, në një fjalim të zjarrtë. “Nuk e keni idenë çfarë dragoi keni zgjuar. Nuk e keni idenë sa të vendosur do të jemi për ta shpëtuar këtë civilizim, për ta shpëtuar Perëndimin, për ta shpëtuar republikën”.


Shtuar 22.09.2025 07:50