Socialistët e Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Relacioni i hartuar nga anëtarët socialistë të këshillit, është depozituar pranë sekretariatit të Këshillit Bashkiak dhe u firmos gjatë mbledhjes së zhvilluar dje në selinë e Partisë Socialiste.
Këshilltarët socialistë bazojnë kërkesën e tyre për shkarkimin e Veliajt në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku thuhet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Kujtojmë që Erion Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, që atherë nuk është paraqitur në detyrë. Aktualisht ai ndodhet nën masën e sigurie arrest në burg nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Ndërsa Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka kërkuar disa herë në shkallët e ndryshme të gjyqësorit një masë më të lehtë sigurie, por të gjitha kërkesat i janë rrëzuar.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës kanë njoftuar se do të kërkojnë në mbledhjen e ditës së martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Veliaj.
“Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës”,- theksohet në relacion