Diella e cila u emërua nga Kryeministri si ministre e ngarkuar me prokurimin publik në prezantimin e qeverisë “Rama 4” ka shkaktuar një bujë mediatike se kush është ajo dhe kush qëndron pas saj. Emri i Diellës nuk është i rastësishëm, por pas saj qëndron zëri dhe imazhi i aktores Anila Bisha e cila edhe vetë e pranoi. Madje aktorja ka pranuar se kjo është me kontratë dhe marrëveshja përfundon në dhjetor të këtij viti. Siç duket pas mbarimit të kontratës ku përfundon marrëveshja me aktoren Anila Bisha, Diella në 2026 do të bëhet vetë Rama.
“Imazhi i e-Albania jam unë. Edhe zëri. Me dakordësi, imazhi është përdorur për t’u bërë avatar dhe mbaron në dhjetor të vitit 2025,”- shprehet aktorja.
Diella u emërua para disa ditësh nga Kryeministri si ministre e ngarkuar me prokurimin publik. Sipas asaj që tha Rama në Asamblenë e PS, ky sistem inovativ do të marrë përgjegjësinë për prokurimet publike, me qëllim eliminimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
““Diella”, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie, do ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e AI në proceset qeverisëse dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikën e paragjykimeve dhe ngurtësisë së administratës. Dje në mbledhjen e fundit të qeverisë së tretë, u mor dhe vendimi i fundit, për nxjerrjen e tenderave jashtë nga ministritë. Në mandatin e katërt, duhet bërë “Diella” shërbyesja e prokurimeve publike, të cilat duam t’ia kalojmë hap pas hapi AI-së, duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publik janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm. Kjo nuk është fantashkencë, por detyrë e “Diellës”. Mandati i “Diellës” nuk do të ketë as kufij gjeografik, as kufij kombësie dhe struktura në mbështetjen e saj do të ketë të drejtën të punësojë këtu talente nga e gjithë dynjaja,” tha Rama.