SPAK i refuzoi kërkesën për takim me avokatët e huaj, kryebashkiaku Erion Veliaj ankimon në GJKKO

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme një shkresë të SPAK që refuzoi kërkesën e tij për ta lejuar të takonte avokatët e huaj, me qëllim përgatitjen e procedurës para Gjykatës së Strasburgut.

Veliaj është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për 5 akuza, si korrupsion, pastrim parash, fshehje e pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në vendin e vuajtje së dënimit.

Ai mbrohet nga dy avokatët, Ermir Beta dhe Artur Selmani, por përmes një kërkese drejtuar SPAK, pretendonte të takohej dhe me avokatët e dy studiove të huaja, të cilat ka pajtuar qe ti përgatisin dosjen për në Strasburg.

SPAK e ka rrëzuar kërkesën e Veliaj, me argumentin se ligji i lejon vetëm dy avokatë, dhe se që një avokat i huaj ta mbrojë në gjykatë duhet se pari të jetë i regjistruar pranë një studioje avokatie ne Shqipëri dhe duhet të jetë nga një prej vendeve pjesë e Bashkimit Europian.

Kundër vendimit të SPAK, Veliaj ka bërë ankim dhe pritet që gjykatësi Erion Bani të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë të tij, pra nëse do të lejojë takim të avokatëve të huaj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

SPAK i ka mbyllur hetimet për Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë, shoqëri dhe OJF. Dosja pritet të dorëzohet brenda muajit për gjykim në gjykatën e Posaçme.


Shtuar 4.09.2025 12:31