Mbrëmjen e djeshme, uniformat blu ne Durrës, zhvilluan një aksion të koordinuar, ku në pranga ranë dy persona, Erald Mustafa dhe Arbi Haxhiu.
Mustafa nuk është një personazh i panjohur për policinë.
37-vjeçari është anëtar i njohur i grupit të ‘Rrumit të Shijakut’ dhe në prill 2023 i shpëtoi një atentati me tritol.
Autorët shpërthyen makinën e tij me telekomandë, por Mustafa doli i pa lënduar, pasi pak minuta më parë kishte lënë në banesë gruan dhe fëmijën. Zona e ngjarjes ishte e mbuluar nga kamera sigurie.
Ai ka qenë i arrestuar edhe më parë: në shtator 2023 për armëmbajtje pa leje, dhe më 30 gusht 2021 së bashku me dy persona të tjerë, pasi po planifikonin një vrasje.
Mustafa rezulton gjithashtu i dënuar me 10 vite burg në Gjermani për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas policisë, Mustafa ka pasur lidhje të kohëve të fundit me Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi’, një figurë e përfolur në ngjarje kriminale, përfshirë atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.