“Parti leshi”, Murrizi shpërthen ndaj Berishës: Doktor ke 29 vjet që ‘qeras’ çdo mashtrues e besëprerë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar sërish pas vendimit të Sali Berishës i cili i do t’i japë 3 deputetë hua aleatit të tij, Ilir Metës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Murrizi thotë se prej vitit 2001 PD qeras me deputetë partitë e vogla, të cilat nuk kanë garuar asnjëherë me siglën e tyre dhe nuk përfaqësojnë asnjë bazë reale elektorale.

Sipas tij, këto parti kanë përfituar mandate e poste, ndërkohë që demokratët e thjeshtë dhe ata që i kanë qëndruar besnikë PD-së në opozitë, janë lënë mënjanë.

“Prej vitit 2001, PD qeras me deputetë partitë partiçka që në 7 palë zgjedhje (2001, 2005, 2009, 2013, 2017, 2021, 2025) nuk kanë kandiduar asnjëherë me siglën e tyre dhe nuk e dinë as vetë nëse kanë apo jo anëtarë në ndonjë qendër votimi nga 5200 qendra që ka Shqipëria.

Nga 50 deputetë që mori PD më 11 maj, 8 ishin po të këtyre partive që pothuajse të gjitha bashkë morën vota vetëm për një mandat.

Tani nga këta 42 që i kishin ngelur PD, do t’u japë edhe 6 deputetë të tjerë që këto partiçkëza të formojnë grupet parlamentare.
Kështu që vetë votuesit e PD do kenë 36 deputetë si përfaqësues të 500 mijë votuesve.

Oo doktor Berisha!
Ke 29 vjet, që nga viti 1996, që ngele duke “qerasur” me votat e demokratëve, antikomunistëve, idealistëve, të përndjekurve politikë lloj-lloj komunisti, hajduti, mashtruesi, mosmirënjohësi, palaçosh me pushtet. Dhe këta, sa ikën PD nga pushteti, ikin dhe humbin si shurra e pulës në mullar të bykut.

Ke afro 30 vjet që “qeras” me deputetë çdo mashtrues e besëprerë në parti leshi që nuk kanë as anëtarë, as votues, as struktura dhe pothuajse janë të “shkrira”, po mos ishe kaq “bujar” ti në çdo palë zgjedhje.

Po si nuk “qerase” një herë të vetme demokratët që i kanë qëndruar PD në opozitë, mor doktor??????

Në vitin 1996, ata që “qerase” pa asnjë kontribut e meritë, ikën si qen të pshurrur nga sytë këmbët në mars 1997.

Ata që qerase me mandat deputeti dhe ministrash, zv.ministrash, drejtor drejtorie në vitin 2005, kanë ikur të gjithë te PS, doktor, ose shijojnë çfarë vodhën duke ndenjur si “asjanës” në qejfin e tyre.

Ata që qerase me 30% të pushtetit në 2009, mor doktor, dhe i dhanë kosto e faturë të rëndë PD-së, si kokrra hajdutësh, të ikën në prill 2013 dhe sollën Ramën në pushtet.

Ata që “qerase” me deputetë në vitin 2013, doktor, të lanë dyfekun në faqe dhe bashkuan votat me Ramën për 4 vjet, duke bërë dhe reformën territoriale dhe mbaruan punët e tyre në kurriz të votave të demokratëve.

Qerase Lylin 8 vjet, doktor, nga 2013 në 2021, derisa të përjashtoi. Dhe kur nuk kishte kush ta qerase, iku si shurrë pule duke marrë vota sa për kryeplak në Kryevidh.

Më 11 maj 2025, përveç 8 deputetëve që “qerase” parti pa votues, “qerase” dhe të gjithë ata që nuk lanë gjë pa thënë e pa bërë kundra demokratëve nga shtatori 2021, e sidomos më 8 janar 2022, me mandat deputeti.

Tani po të pyes publikisht, doktor:

1. A i mban mend emrat dhe fytyrat e të gjithë atyre që ke “qeras” me mandat deputeti, ministri, zv.ministri, drejtori, me pushtet e me para, me pasuri dhe emër në emër të votave të demokratëve?

2.A e mban mend Majlinda Bregun, doktor? Po Arencën? Viktorin? Pangon? Imamin? Rrulin? Gjanën? Halimin? Po Benet Becin, doktor, a të kujtohet? Po Visho Ajazin e SHIK-ut që e dekoroi Rama?

Se për ata të vitit 1996-1997 nuk po të pyes, se kanë qenë me shumicë në atë kohë.

3.A i ke “qeras” me gjithë mend, doktor, apo ka qenë pjesë e lojës, e pazarit, apo e misionit që në emër të demokratëve të përfitojnë pushtet, pasuri e para të gjithë të tjerët, përveç demokratëve të vërtetë?

Se me ta thënë të drejtën, doktor, unë nuk besoj kurrë që në 35 vite të ketë “qëlluar” kaq rastësisht që në emër të demokratëve të kenë përfituar vetëm ky soj bastardësh që nuk kanë asnjë lidhje, asnjë kontribut, asnjë ngjashmëri dhe asnjë meritë në të gjithë historikun 35-vjeçar të PD-së dhe sakrificës së demokratëve.

Se po të ishte me të “qëlluar” e kaq rastësisht, atëherë pse këta “shejtanerët” e PS-së si nuk “qerasën” një herë, kurrë ndonjë demokrat me pushtet në 35 vite, për 22 vjet që kanë qenë në kal, mor aman?

Në 13 vite pushtet që ka qeverisur PD-ja, po si nuk “qerase” një herë të vetme, doktor, me karrige ministri një ish-student të Dhjetorit që nuk erdhi në PD në atë dhjetor nga Sigurimi i Shtetit!!!!!

Dhe e fundit, doktor:

A do të vazhdosh të “qerasesh” përsëri me poste në kupolën e PD-së servilë të pështirë, hipokritë dhe debilë e idiotë profesionistë??????”, -thuhet në reagimin e Murrizit.


Shtuar 26.08.2025 16:39