Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin Paksos pasditen e së premtes, kur një vajzë 4-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën tragjikisht. E mitura po luante në oborrin e shtëpisë rreth orës 15:00, kur për pak çaste i shpëtoi vëmendjes së nënës.
Pas kërkimeve të menjëhershme, vajza u gjet pa shenja jete në një pishinë rreth 150 metra larg, nga kuzhinieri i një vile turistike aty pranë. Ajo u dërgua menjëherë në qendrën shëndetësore të ishullit, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.
Ndërkohë, nëna e vajzës është shoqëruar në komisariat dhe pritet të merret në pyetje nga prokuroria për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Komuniteti vendas është i shokuar nga kjo tragjedi që ka tronditur të gjithë ishullin.