Lefter Maliqi paralajmëron një sezon vjeshte të tensionuar në Kuvend: Opozita do të nisë protesta pa ndalim

Drejtuesi Politik i Qarkut Berat, i Partisë së Lirisë, Lefter Maliqi deklaroi në një intervistë për News24 se opozita po përgatitet për një sezon të ri politik që pritet të jetë i tensionuar.

Sipas tij, pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit, strukturat e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj do të mblidhen në ditët në vijim për të vendosur strategjinë e re të veprimit.

Një nga opsionet që po shqyrtohet është bojkotimi i Kuvendit, por Maliqi theksoi se më e mundshme është një pjesëmarrje aktive në parlament me një “betejë të fortë politike”.

“Mandatet duhet të pranohen, por jeta parlamentare nuk do të funksionojë normalisht. Komisionet do të bllokohen,” – u shpreh ai.

Protesta dhe grevë urie në horizont

Maliqi paralajmëroi gjithashtu një fushatë protestash pa ndërprerje në vjeshtë, duke mos përjashtuar as mundësinë e një grevë urie.

“Do të jetë një vjeshtë e nxehtë dhe kjo është e domosdoshme, sepse opozitarët kërkojnë shpresë dhe rikthim besimi,” – tha ai.

Sipas tij, këto veprime synojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe të mobilizojnë bazën opozitare pas një periudhe zhgënjimi dhe mosbesimi.

Maliqi theksoi gjithashtu rëndësinë e reagimit nga faktori ndërkombëtar. Ai tha se opozita pret që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet të shoqërohet me qëndrim të qartë nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Disa deputetë të PD-së tashmë kanë dorëzuar të dhëna mbi manipulimet zgjedhore në organizmat ndërkombëtarë,” – shtoi Maliqi, duke lënë të kuptohet se kjo çështje do të mbetet në fokusin e veprimtarisë opozitare gjatë muajve të ardhshëm.


Shtuar 21.08.2025 18:23