Në një intervistë për News24, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka reaguar ashpër pas shkarkimeve të fundit në administratën lokale, të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama.
Baçi e akuzoi Ramën për abuzim me pushtetin dhe përpjekje për të mbuluar aferat korruptive.
Sipas tij, dorëheqjet e disa drejtorëve janë një mënyrë për të shmangur hetimet dhe përgjegjësitë ligjore.
Ai kërkoi që Prokuroria të nisë sa më parë hetime, veçanërisht në qytetin e Fierit dhe në kompaninë shtetërore Albpetrol.
Deputeti demokrat paralajmëroi gjithashtu se; opozita do të vijë me një agjendë të qartë në shtator, ndërsa akuzoi qeverinë për manipulim të zgjedhjeve.
Luan Baçi: Rama tregoi dhe njëherë se i duket vetja perëndi, kur shkarkoi drejtorët nëpër Bashki. Prokuroria të hetojë të gjithë drejtuesit lokalë, mund të kenë qenë për burg. Prandaj edhe kryeministri Edi Rama donte t’i shkarkonte. Kur jep dorëheqjen vërteton se je i korruptuar. Këta drejtorë japin dorëheqje sepse ata që e dinë se janë për në qeli. Sa i përket asaj që do të bëjë PD, presim shtatorin për të përcaktuar agjendën e opozitës.
Këto nuk ishin zgjedhje. Rama nuk ka zhvilluar zgjedhje, por kishim makineri-shtet që ka paguar dhe ka bërë çdo pisllëk që mund të bëhet për të marrë zgjedhjet. Aq shumë vjedhje ka bërë, sa dolën llogaritë përtej pritshmërive, shkuan 83 deputetë. Ishte grabitje ditën për diell. Kjo qeveri nuk do e ketë të gjatë. Nëse Prokuroria sidomos në Fier, te Bashkia dhe tek Albpetrol, nis hetime, do të gjejë afera të tmerrshme korruptive.