Ish-zv.drejtor i AKSHI-t, Daniel Shima, qëndroi “i zhdukur” 10 orë dhe më pas u shfaq, por shumë detaje mbeten ende mister.
Të mërkurën nëna e 34-vjeçarit, denoncoi në komisariatin nr. 1 se kishte humbur kontaktet me të birin.
Denoncimi u bë pas nëna e Shimës, ishte informuar nga partnerja dhe njëherazi avokatja e të birit, se ai i kishte shkruar një mesazh me tekstin “po me arrestojnë”.
Pasi familjarët verifikojnë se ish-zyrtari i lartë i AKSHIT, nuk ishte arrestuar për ndonjë vepër penale denoncojnë humbjen e kontakteve.
Nga verifikimet rezulton se Shima ishte ngjitur në makinën e tij në qytetin studenti, ku është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe është ndjekur deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Pas dhjetë orësh, kur policia sekuestroi dhjetëra kamera sigurie dhe mori në pyetje persona që mund të kishin dijeni Daniel Shima u kthye dhe tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.
Por ai nuk dha asnjë shpjegim ku qëndroi përgjatë atyre 10 orëve, cilët janë personat që takoi, përse udhëtoi në drejtim të Elbasanit si dhe më thelbësorja përse i shkroi mesazh partneres së po më arrestojnë.
Policia pritet të rimarrë në pyetje Shimën.