Zjarret bëjnë kërdinë në Greqi/ Raportohet për një viktimë, 200 zjarrfikës dhe 11 avionë në luftë me flakët

Një burrë ka humbur jetën në Greqi të premten, si pasojë e zjarreve të përhapura nga erërat e fuqishme. Më shumë se 200 zjarrfikës, të mbështetur nga 11 avionë dhe shtatë helikopterë, po i luftojnë zjarret në Keratea, në juglindje të Athinës, tha për televizionin shtetëror ERT, Kostas Tsigkas, kreu i zjarrfikësve grekë.

Ai tha se banorët në disa vendbanime janë evakuuar për shkak të “zjarreve të mëdha” si pasojë e erërat e forta. Zjarrfikësit gjetën trupin e një të moshuari brenda shtëpisë së tij të djegur në Keratea, ndërsa erërat e forta po ua vështirësojnë punën avionëve cisternë për të vepruar, tha zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, në një konferencë për shtyp.

Një gazetar i AFP-së në qytetin e afërt Palaia Fokaia, rreth 45 kilometra në jug të Athinës, pa një shtëpi të përfshihej nga flakët dhe tym të dendur mbi të. Më herët, një zjarr tjetër në ishullin Kefalonia ishte vënë nën kontroll, sipas autoriteteve lokale, ndërsa situata “është përmirësuar” në gadishullin e Peloponezit, në perëndim të Athinës, njoftoi Vathrakogiannis.

Ministria e Mbrojtjes Civile kishte njoftuar se erërat do të arrinin deri në 88 kilometra në orë, veçanërisht në Egjeun Jugor dhe Detin e Kretës. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (EMY) tha se erërat do të dobësoheshin pas mesnatës, por Ministria e Mbrojtjes Civile vendosi disa zona në nivelin më të lartë të alarmit për zjarre për të shtunën, përfshirë rajonin e Atikës, ku ndodhet Athina.

Greqia dhe vende të tjera të Mesdheut ndodhen në një zonë që shkencëtarët e quajnë “pikë të nxehtë të zjarreve”, pasi ka zjarre të shpeshta gjatë verave të nxehta dhe të thata. Franca jugore, e tharë nga thatësira, po përballet aktualisht me zjarrin më të madh në dekada. Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po shkaktojnë zjarre më të shpeshta dhe më intensive dhe katastrofa të tjera natyrore./REL


Shtuar 8.08.2025 20:40

Tags: ,