Zjarret në Patos e Mallakastër/ Forcat e Armatosura në terren, ministri Vengu ndjek nga afër operacionin për shuarjen e flakëve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndjekur nga afër operacionin për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me pisha dhe bimësi të dendur në fshatrat Lofkënd dhe Drenie, në zonën mes Bashkisë së Patosit dhe asaj të Mallakastrës.

Operacioni për izolimin dhe shuarjen e flakëve po zhvillohet me ndërhyrje të kombinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me emergjencat civile të qarkut Fier dhe shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione të tjera.

Gjatë inspektimit në terren, ministri Pirro Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjitha forcave të angazhuara në operacion, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është një prioritet absolut i Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve, puna për neutralizimin e plotë të flakëve vijon me intensitet të lartë dhe me koordinim të ngushtë ndërinstitucional, në mënyrë që të shmangen rreziqet për banorët dhe mjedisin përreth.

Mjetet dhe forcat e përfshira në operacion:

• 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura
• 3 zjarrfikëse nga Bashkia Patos
• 1 zjarrfikëse nga Bashkia Mallakastër
• 1 zjarrfikëse nga Bashkia Lushnjë
• 1 zjarrfikëse nga Bashkia Fier
• 2 mjete nga kompania Albpetrol
• 1 zjarrfikëse nga Bashkia Roskovec


Shtuar 7.08.2025 20:24