Tesla i jep Elon Musk aksione me vlerë 29 miliardë dollarë për ta mbajtur në drejtimin e kompanisë

Kompania Tesla ka vendosur t’i japë CEO-së së saj, Elon Musk, një pako aksionesh me vlerë 29 miliardë dollarë, me qëllim që ta mbajë në drejtimin e kompanisë.

Ky vendim vjen pas anulimit nga një gjykatë amerikane të një pakete shpërblimi prej 56 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2018, duke e cilësuar atë si të padrejtë ndaj aksionerëve. Musk ka apeluar këtë vendim të Gjykatës së Delaware, të dhënë në vitin 2024.

Paketa e mëparshme ishte e lidhur me objektiva të qarta si kapitalizimi i tregut, të ardhurat dhe fitimet, të cilat Musk i kishte përmbushur të gjitha.

Në njoftimin e saj të së hënës drejtuar aksionerëve, Tesla shprehet se është “e bindur që aksionet në vlerë 29 miliardë dollarë do ta motivojnë Elon që të qëndrojë në kompani”, sidomos në një kohë kur “lufta për talentet në fushën e inteligjencës artificiale po ashpërsohet”.

Kjo pako e re do të forcojë edhe ndikimin e Musk në bord, duke i rritur të drejtat e votës.

“Është jetike të ruajmë dhe motivojmë talentet tona më të mira, duke filluar nga Elon”, tha bordi drejtues i Tesla në një postim në X. Ata shtuan se “asnjë tjetër nuk e përmbush kombinimin e përvojës drejtuese dhe njohurive teknike që ka Elon Musk”.

Sipas kompanisë, Musk ka një “historik të provuar në ndërtimin e bizneseve revolucionare dhe fitimprurëse”.

Megjithatë, Tesla sqaroi se nëse gjykata vendos të rikthejë në fuqi paketën e vitit 2018, Musk do të heqë dorë nga paketa e re prej 29 miliardë dollarësh.


Shtuar 4.08.2025 23:23