Në përpjekjen për të zënë terrenin e humbur në garën globale për dominimin në inteligjencën artificiale, CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, i bëri disa muaj më parë një ofertë joshëse ish-drejtoreshës teknologjike të OpenAI, Mira Murati, duke i propozuar blerjen e startup-it të saj të ri, Thinking Machines Lab.
Por kur Murati refuzoi, Zuckerberg kaloi në ofensivë dhe brenda pak javësh kontaktoi mbi 12 punonjës të kompanisë, që në total numëron rreth 50 persona, në përpjekje për t’i bindur të largohen nga Murati dhe të bashkohen me Meta. Objektivi kryesor ishte Andrew Talak, bashkëthemelues dhe studiues i shquar në fushën e AI-së.
Sipas Wall Street Journal, Zuckerberg i ofroi Talak një paketë financiare që mund të arrinte deri në 1.5 miliardë dollarë brenda 6 vitesh, përmes bonuseve dhe aksioneve.
Për krahasim, oferta e Meta-s ndaj vetë Murati thuhet se kishte kapur shifrën 1 miliard dollarë. Talak refuzoi. Dhe askush nga ekipi nuk u largua.
Zëdhënësi i Meta, Andy Stone, e cilësoi përshkrimin e ofertës si “të pasaktë” dhe “qesharak”, duke theksuar se çdo shpërblim varet nga performanca e aksioneve të kompanisë. Ai gjithashtu shtoi se Meta nuk ka interes për të blerë Thinking Machines.
Besnikëri më e madhe se paratë
Edhe për standardet e Silicon Valley, refuzimi i një oferte nëntëshifrore është i rrallë. Por ndërsa lufta për talentet në fushën e AI-së bëhet gjithnjë e më e ashpër, bëhet e qartë se as paratë nuk mjaftojnë gjithmonë.
Disa studiues funksionojnë si profesionistë të pavarur, por shumë zgjedhin të qëndrojnë besnikë ndaj liderëve të tyre, figura me ndikim të madh në komunitetin teknologjik.
Strukturat e veçanta dhe kultura e brendshme e startup-eve rrisin ndjesinë e përkatësisë. Ndërkohë, kompanitë më të vogla po ndërtojnë edhe mekanizma mbrojtës ndaj “gjuetisë” së talenteve.
Zuckerberg ka synuar vazhdimisht OpenAI-n dhe startup-et e krijuara nga ish-punonjësit e saj, përfshirë edhe atë të Muratit. Që prej fillimit të garës për AGI (Artificial General Intelligence – inteligjencë artificiale e përgjithshme), pionierët e fushës kanë premtuar përfshirje në një mision historik: ndërtimin e një sistemi më të zgjuar se njeriu në pothuajse çdo detyrë.
OpenAI, e themeluar nga Sam Altman, Elon Musk dhe Ilya Sutskever, e trajtoi këtë mision me një ton thuajse fetar, duke u regjistruar si organizatë jofitimprurëse për “të mirën e njerëzimit”.
Gara me OpenAI, Anthropic dhe SSI
Meta ka kontaktuar mbi 100 punonjës të OpenAI, dhe ka rekrutuar të paktën dhjetë prej tyre. Më 25 korrik, Zuckerberg emëroi Shengjia Zhao, ish-studiues në OpenAI, si drejtues të një ekipi të ri për superinteligjencë.
Por shumë punonjës të OpenAI nuk u larguan, pasi besojnë se kjo kompani është më afër realizimit të AGI-së dhe preferojnë ekipe më të vogla, larg produktizimit komercial të AI-së për qëllime reklamash.
Anthropic, një startup me vlerë 170 miliardë dollarë i themeluar nga ish-drejtori i OpenAI, Dario Amodei, ka mbetur po ashtu i paprekur nga përpjekjet e Meta-s. Amodei mori me vete disa nga studiuesit më të talentuar, të lidhur edhe me lëvizjen “altruizëm efektiv”, të shqetësuar për rreziqet e AI-së pa kufij. Madje disa bashkëjetonin në një komunë në San Francisko.
Nga Anthropic, Meta ka rekrutuar vetëm dy persona, të dy ish-punonjës të Meta-s më parë. Ndërsa Ilya Sutskever, bashkëthemelues i Safe Superintelligence (SSI), ndërtoi kompaninë e tij në mënyrë që punonjësit të mos “rrëmbehen” lehtë. Ai nuk mori shumë nga OpenAI, por rekruton talente të reja me ide të freskëta.
Punonjësit e SSI-së inkurajohen të mos e përmendin kompaninë në LinkedIn, për të shmangur kontaktet agresive nga konkurrentët. Thuhet se edhe ndaj kësaj kompanie, Zuckerberg bëri ofertë për blerje, por mori përgjigje negative.
Ekipi i ri i Mira Muratit
Mira Murati, me origjinë shqiptare, u largua nga OpenAI në shtator 2024 pasi kishte shërbyer për 6 vite si CTO, duke ndikuar drejtpërdrejt në produktet si ChatGPT, DALL·E dhe Codex. Ajo njihet për inteligjencën emocionale dhe stilin e udhëheqjes pa ego, duke krijuar një klimë besimi dhe motivimi të lartë brenda ekipit.
Në startup-in e saj Thinking Machines Lab, Murati po ndjek një strukturë horizontale organizimi, ku edhe studiuesit më të lartë quhen “anëtarë të stafit teknik”, një frymë që kujton legjendaren Bell Labs.
Kur themeloi kompaninë në shkurt 2025, mbi 20 ish-kolegë nga OpenAI e ndoqën, përfshirë bashkëthemeluesin John Schulman, një nga arkitektët e ChatGPT. Shumë prej studiuesve të saj vijnë nga ekipi “post-training” i OpenAI, ata që mësuan modelet si të ndërveprojnë me njerëzit.
Misioni i Thinking Machines mbetet ende i paqartë, edhe për disa nga investitorët që derdhën 2 miliardë dollarë në kompani. Sipas Muratit, ata zhvillojnë AI multimodale që ndërvepron natyrshëm me botën, me produktin e parë që pritet të prezantohet së shpejti. Kompania është vendosur në një rrugë të qetë në lagjen Mission të San Franciskos, pranë zyrave të OpenAI.
Murati është jo vetëm një inxhiniere dhe stratege e vizionare, por edhe një zë kyç në debatin etik të AI-së. Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në 2025, ajo deklaroi: “Inteligjenca artificiale pa vlera është inteligjencë pa ndërgjegje.”
Ajo këshillon Komisionin Evropian mbi rregulloret e AI-së, diçka e rrallë për një themeluese startup-i. Ndërkohë, emri i saj është përfshirë në Time 100 Most Influential People in AI (2024) dhe Fortune 100 Most Powerful Women in Business (2023).
Kush është Andrew Talak?
Talak, bashkëthemelues i Thinking Machines, ishte objektivi kryesor i përpjekjeve të Meta për rekrutim, me Zuckerberg dhe kreun e laboratorit të “superinteligjencës” Alexandr Wang që e bombarduan me mesazhe.
Me origjinë nga Australia, ai ka diplomuar me rezultate maksimale në Universitetin e Sidneit dhe ka punuar në Facebook AI Research, ku u ngjit deri në titullin distinguished engineer, një nga pozicionet më prestigjioze teknike.
Në vitin 2016, presidenti i OpenAI Greg Brockman e kishte përmendur në email Elon Muskut, duke thënë se ai fitonte 800.000 dollarë në vit dhe do të kërkonte një rritje për të kaluar në OpenAI