Tabaku nga Como: Reformat e qeverisë, propagandë që ka ndëshkuar punën dhe biznesin e ndershëm

Dy ditë pas një sërë takimesh intensive në Como të Italisë me përfaqësues të CDU dhe Partisë Popullore Europiane, deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh ku ka prekur kësaj radhe gjendjen ekonomike dhe mungesën e reformave reale në vend.

“Shqiptarët kanë të ardhura më të ulëta se gjithë rajoni. Reformat e qeverisë kanë qenë një lojë propagande: tani shqiptarët fitojnë më pak dhe shpenzojnë më shumë”, – shprehet në videon e saj nga Como, ku ndodhet me ftesë të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS).
Duke theksuar se rruga drejt Bashkimit Europian kalon përmes reformave të thella dhe një sistemi të ndershëm, Tabaku denoncoi se në 12 vite qeverisje, socialistët “kanë ndëshkuar punën, biznesin e vogël dhe dijen”. Ajo shtoi se përmirësimi i standardeve të jetesës nuk mund të vijë me propagandë, por me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër klientelizmit.


Shtuar 27.07.2025 18:55