Gjatë natës së kaluar, të paktën 25 palestinezë u vranë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe të shtënat nga forcat izraelite, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë dhe shërbimit të ambulancës.
Ngjarja ndodh në një kohë kur bisedimet për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, janë pezulluar dhe situata humanitare në territorin palestinez po përkeqësohet ndjeshëm.
Shumica e viktimave, sipas stafit të spitalit Shifa, u qëlluan teksa prisnin pranë pikëkalimit Zikim, një nga korridoret hyrëse për ndihma humanitare.
Sulme ajrore goditën gjithashtu një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, duke shkaktuar katër viktima të tjera. Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi incidentet.
Ngjarjet ndodhin në sfondin e një bllokimi diplomatik. Pas një raundi të pasuksesshëm bisedimesh, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tërhoqën ekipet e tyre negociuese, duke rritur pasigurinë për të ardhmen e procesit të armëpushimit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi të premten se po shqyrtohen “opsione alternative” përtej dialogut me Hamasin, ndërsa grupi palestinez tha se bisedimet mund të rifillojnë javën e ardhshme, duke e quajtur tërheqjen e delegacioneve një “taktikë presioni”.
Ndërmjetësit Egjipt dhe Katar, kanë konfirmuar pezullimin e përkohshëm të bisedimeve, pa dhënë një datë për rifillimin e tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave humanitare, Gaza po përballet me një krizë urie në rritje.
Raportet flasin për njerëz që vdesin nga kequshqyerja, përfshirë fëmijë të vegjël. Një nga rastet është ai i Yazanit, një 2-vjeçar nga qyteti i Gazës, i diagnostikuar me kequshqyerje të rëndë.
Përkundër pretendimeve të ushtrisë izraelite se po lejon ndihmat humanitare të hyjnë pa kufizime, OKB-ja njofton se përpjekjet e saj pengohen nga kufizimet e lëvizjes të vendosura nga Izraeli dhe nga incidentet e plaçkitjeve të organizuara.
Pak ditë më parë, në të njëjtin pikëkalim Zikim, ku ndodhën të shtënat e fundit, të paktën 80 palestinezë u vranë gjatë një përpjekjeje masive për të marrë ndihma.
Ushtria izraelite kishte deklaruar se turmat përbënin një “kërcënim të drejtpërdrejtë”.
Për herë të parë pas disa muajsh, Izraeli ka pranuar dërgesa ajrore ndihmash me kërkesë të Jordanisë.
Ato përfshijnë ushqime bazë dhe qumësht për foshnja. Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Jordaninë, ka njoftuar se po përgatit dërgesa urgjente të ndihmave britanike.
Ndërkohë, organizata World Central Kitchen
njoftoi rifillimin e operacioneve të gatimit në Deir al-Balah, pas një ndërprerjeje të detyruar për shkak të mungesës së furnizimeve.
Ajo shpreson të shpërndajë rreth 60.000 vakte në ditë, më pak se gjysma e kapacitetit të saj të zakonshëm.