Kompania e pezulloi nga puna pas videos virale, CEO i Astronomer Andy Byron merr vendimin, jep dorëheqjen

Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, Andy Byron ka dhënë dorëhqjen nga posti dhe detyra pas skandalit të zbuluar gjatë koncertit të Coldplay. Dorëheqja ka ardhur pas reagimeve të shumta që solli zbulimi i këtij rasti.

Lajmin e ka konfirmuar vetë kompania Astronomer e cila theksoi se është e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që sipas tyre e kanë udhëhequr që nga themelimi i tyre. Sipas njoftimit udhëheqësit e kompanisë janë të thirrur të vendosin standardet si për sjelljen ashtu edhe për llogaridhënien. Dorëheqja e Byron është pranuar nga Bordi i Drejtorëve.

Byron u pa në një ekran Jumbotron në një koncert të Coldplay në stadiumin Gillette në Massachusetts të mërkurën, duke përqafuar Kristin Cabot, drejtoreshën e personelit të kompanisë, e cila mbikëqyr burimet njerëzore të organizatës. Coldplay po performonte këngën “The Jumbotron Song” kur kamera u kthye nga ata që përqafoheshin ndërsa shikonin skenën. Të dy u ndanë shpejt dhe u përpoqën të fshihnin fytyrat e tyre, me Byron që u përkul, kur vunë re se ishin në ekranin gjigant në vendin e ngjarjes.


Shtuar 19.07.2025 22:20