Në datën 8 korrik, Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë, teksa një punonjës i Bashkisë humbi jetën, pasi tentoi që të shpëtonte dy turistë që kishin rënë në ujë.
Kapiten Arben Anamali i shpëtoi dy turistët izraelitë duke sakrifikuar jetën e tij në një akt të mirëfilltë heroik. Por ngjarja e 8 korrikut ngre një sërë pikëpyetjesh të forta mbi përgjegjësitë e tragjedisë.
Kapitali do të përpiqet të hedhë sadopak dritë mbi një ngjarje, të cilën autoritetet duket sikur duan ta mbajnë në errësirë.
Anija e përfshirë në tragjedinë e 8 korrikut quhet Drini. Ajo është në pronësinë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili ja ka dhënë në hua-përdorim Bashkisë së Shkodrës.
Kjo e fundit, ja ka lënë në administrim ndërmarjes së saj “Bio Strajca”, që së fundmi e ka ndryshuar emrin në Skodrinon.
Skodrinon, është një shoqëri aksionare në pronësi të Bashkisë së Shkodrës. Objekti i aktivitetit të saj, është ofrimi i shërbimeve në fushën e zhvillimit ekonomik për mirëfunksionimin e tregjeve publike dhe rrjetit të tregtisë, organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor, aktivitetet e operatorit turistik dhe operatorit turistik detar… etj.
Kur kompania mori në përdorim dy anijet e para, Drini dhe Buna, ato u përuruan nga Benet Beci si një zhvillim historik për Shkodrën.
““Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve. Falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Qeverisë Shqiptare, pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan”, shkroi Beci në profilin e tij në facebook në prill të vitit të kaluar.
Por nuk kaloi shumë dhe Skodrinon bashkë me varkat pollën hatanë. Një tragjedi, e cila ngre shumë pikëpyetje.
1.A kanë anijet e Skodrinon liçencë lundrimi? Cilat janë numrat e liçencave?
2.A kanë anijet vend ankorimi të kolauduar?
3.A ka liqeni i Shkodrës një hartë lundrimi të miratuar, përfshirë vijën dhe planin e miratuar të lundrimit?
4.A kishte anija e tragjedisë edhe ndihmës kapiten ashtu siç e kërkon Rregullorja Shqiptare për Sigurinë Detare për anijet me më shumë se 12 pasagjerë?
Prokuroria duhet të kërkojë përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe të mos përpiqet për të mbyllur në heshtje, atë që mund të jetë një krim i rëndë shtetëror dhe jo aksident, siç po përpiqen ta bëjnë./Kapital.al