Parashikimi i motit 13 Korrik 2025/ Ja si do variojnë temperaturat gjatë ditës

Ditën e sotme, Shqipëria vijon të jetë nën ndikimin e masave ajrore të nxehta dhe të thata, duke sjellë një tjetër ditë me mot përvëlues.

Sipas MeteoAlb, e diela e 13 korrikut 2025, do të karakterizohet nga kthjellime të shumta dhe diell i fortë në të gjithë territorin.

Temperaturat e ajrit pritet të shënojnë rritje të ndjeshme në orët e mesditës, ku maksimumet do të kapin vlerat deri në 36°C, veçanërisht në zonat e ulëta dhe ato të jugut.

Mëngjesi ka nisur me mot të kthjellët dhe temperatura të buta, por që nga ora 10:00 e tutje pritet një rritje graduale e ndjeshme e të nxehtit.

Orët më të nxehta të ditës do të jenë nga 12:00 deri në 16:00, periudhë gjatë së cilës qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell.

Gjatë mbrëmjes pritet një rënie graduale e temperaturave, duke sjellë një mot më të freskët, me minimumet që do të zbresin deri në 24°C.

Rekomandime për qytetarët:

Institucionet shëndetësore apelojnë për kujdes të shtuar ndaj temperaturave të larta, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Këshillohet përdorimi i ujit në sasi të bollshme, veshje të lehta dhe shmangia e qëndrimit në ambiente të hapura gjatë pikës maksimale të nxehtësisë.


Shtuar 13.07.2025 07:25