U dënuan me 18 vite burg, dy vëllezërit nga Puka marrin pas 24 vitesh pafajësinë në Strasburg

Në mars të vitit 2001, Artur Lika nga Puka, kur ishte vetëm 19-vjec, u arrestua gabimisht bashkë me vëllanë e tij të mitur, Beharin si i dyshuar për grabitje me armë të pasagjerëve të autobusit të linjës Kukës-Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Lajthizë të Pukës.

Për këtë ngjarje, ai u dënua me 13 vite burgim nga gjykata e Pukës, ndërsa vëllai me 5 vite, për shkak se ishte i mitur. Vendimi u la në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Por, e drejta për vëllezërit triumfoi në 2010 kur gjykata e europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg konstatoi se në procesin ndaj vëllezërve ishin shkelur liritë dhe të drejtat e tyre.

3 vite pas këtij vendimi, Artur e Behar Lika, fitojnë pafajësinë. Gjykata e Apelit Shkodër vendos pushimin e çështjes penale, pasi nuk provohej fajësia e tyre.

“Jam akuzuar për vjedhje me armë në Pukë. Kam bërë 9 vjet e 3 muaj burg. E kam fituar pafajësinë në gjykatën e Strasburgut, gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar për News24, Artur Lika.

I pyetur për gjendjen e vëllait më të vogël, Arturi thotë se pas burgut ai ka shfaqur probleme me shëndetin mendor.

Pasi vuajti më shumë se 9 vite burgim për një krim që nuk e kishte kryer kurrë, Arturi nisi betejën e radhës për të fituar dëmshpëblimin për cdo ditë të burgimit të padrejtë.

Por edhe këtë herë u përball me zhgënjim. Gjykatat e dëmshpërblyen Artur Likën me 3 milionë e 600 mije lekë lekë, që llogaritet 1 mijë lekë për cdo ditë të burgut të drejtë.

Ndërsa vëllai i tij, i cili pas daljes nga burgu është i paaftë për punë, për shkak tëtraumës që pësoi u dëmshpërblye me 1 milionë e 380 mijë lekë.

Arturi thotë se shteti për të dytën herë po ju bën padrejtësi, pasi gjykatat nuk kanë vlerësuar dëmin moral e psikologjik që iu shkaktua të gjithë familjes,

“Vëllai im është marrë nga bankat e shkollës, është akuzuar e dëuar dhe është kompensuar me 10 mijë lekë pas pafajësisë. Për shkatërrim jete personale, të vëllait, të familjes, opinion e të gjitha me radhë”, thotë ai.

Avokati i vëllezërve thotë se familja Lika, u shkatërrua dhe djemtë humbën mundësinë të shkolloheshin dhe të bënin një jetë normale, për shkak të dënimit të padrejtë.

“Kjo familje ka dhe një nga djemtë, i cili nuk e përballoj dot qëndrimin në paraburgimin dhe burg dhe sot është me kartelë mjekësore dhe vuan e gjithë familja, si rezultat i një padrejtësie”, thotë avokati.

Mbrojtësi ligjor paralajmëron se nuk do të ndalet, por për të dytën herë do ta cojë dosjen e vëllezërve në gjykatën e Strasburgut.

“Edhe në gjykatën Kushtetuese do të kërkojmë një rivlerësim të ri për të gjithë dëmin, edhe me ekspertë po të jetë e nevojshme dhe do të vijojmë në gjykatën e Strasurgut, sepse vetëm gjykata e Strasburgut mund ti shkundë gjykatat tona”, thotë avokati i vëllezërve Lika./News24