Ultimatumi i Ramës/ “Furtuna” në Durrës: Dorëhiqen krerët e 5 njësive administrative, largohen disa drejtorë të Bashkisë e të drejtorive rajonale

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, ka dhënë sot nga Durrësi një mesazh të prerë për drejtuesit vendorë në të gjithë vendin, duke kërkuar shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative, me afat deri të hënën.

Ndërkohë, në Durrës, lëvizjet kanë nisur një ditë më parë. Në përputhje me kërkesat e takimit të zhvilluar tri ditë më parë në Bashkinë e Durrësit nga Rama, dorëheqjen e kanë paraqitur tashmë administratorët e pesë njësive administrative të bashkisë së Durrësit: Ishëm, Sukth, Manëz, Katund i Ri dhe Rrashbull. Bëhet fjalë për Kadri Gjylin, Edlir Cërrin, Muharrem Sulën, Eltion Prenin dhe Albert Bukaçin.

Po ashtu, janë larguar nga detyra edhe administratorët e gjashtë rajoneve të qytetit bregdetar, përkatësisht Roland Çobani, Ilir Ngresi, Myslym Hasanaj, Davide Ndoi, Jurgen Tabaku dhe Jetmir Pupla. Lajmi konfirmohet për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi nga bashkia e Durrësit.

Ndërkaq, dorëheqjet kanë përfshirë edhe drejtorët e Bashkisë Durrës dhe ata të drejtorive rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga komision i posaçëm i drejtuar nga kryebashkiakja Emiriana Sako.

Ndër kandidaturat për drejtuesit e rinj pritet të jenë jo vetëm emra të rinj, por edhe disa prej drejtorëve të dorëhequr që mund të rikthehen.

Gjithashtu, burime nga PS e Durrësit bëjnë me dije se mund të përfshihen edhe kandidatë që nuk arritën të siguronin një mandat deputeti në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit.


Shtuar 11.07.2025 12:43