Çanta e famshme e zezë prej lëkure Birkin e Hermès është shitur për një shumë astronomike prej 8.6 milionë eurosh, duke u bërë çanta më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand. Çmimi përfshin taksat, tha Sotheby’s.
Ishte çanta e parë Birkin e krijuar ndonjëherë nga Hermès, posaçërisht për aktoren dhe këngëtaren britanike Jane Birkin. Vepra e rrallë u shit në Sotheby’s të enjten, në një ankand të modës së lartë që përfshinte edhe krijime nga Alexander McQueen dhe Christian Dior.
Sotheby’s nuk zbuloi një çmim të përafërt para shitjes, por ofertat thyen të gjitha rekordet kur arritën në 1 milion euro. Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të ankandit, dëgjoheshin britma habie ndërsa çmimi rritej. “Lufta” e ofertave zgjati dhjetë minuta, me nëntë koleksionistë që garonin, dhe një blerës privat nga Japonia doli fitues.