DOKUMENTI/ Nuk filloi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth, Ulsi Manja kërkon procedim disiplinor për prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dërguar në ILD prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli. Ulsi Manja ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimeve pa leje në Theth. Në krye të shkresës së Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilën ia drejton ILD dhe kreut Artur Metani, kërkohet “nisja e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, znj. Elsa Gjeli.

Ministri Manja ka shpjeguar në një material prej tetë faqesh rrethanat e materialit, duke nisur nga kontrolli i IMT i Bashkisë Shkodër më 29 Prill, kallëzimi në Prokurori, referimi i materialeve në organin e akuzës, pezullimi i punimeve më 30 prill për vendosjen e kabinave, vendimi për prishjen dhe gjobën e subjektit më 8 Maj.

“Me vendimin e datës 30.05.2025 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër është vendosur mosfillimi i procedimit penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, për materialin hetimor të dërguar në këtë prokurori nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër”.

Kallëzimi përfundimtar është bërë më 28 maj, për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, ndaj subjektit të të kërkuarit Prek Kodra, ky objekt hetimi i SPAK për dosjen “Metamorfoza”.

“Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren”, nënvizon Manja, duke e kundërshtuar këtë vendim si në shkelje të ligjit.


Shtuar 10.07.2025 18:56