Kukësi nuk i shpëton aksionit për hapësirat publike, Halilaj nxjerr në terren strukturat e Bashkisë

Kryebashkiaku socialist i Kukësit, Albert Halilaj njofton se dhe në territorin e institucionit që drejton ka nisur puna në hapat e parë për zbatimin e aksionit kombëtar për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

“Bashkë le ta bëjmë Kukësin një qytet të jetueshëm për të gjithë”, thotë Halilaj, duke shtuar se “Ky aksion do të vijojë në ditët në vazhdim dhe do të shtrihet në çdo lagje dhe njësi administrative të Kukësit.”

Siç ka ndodhur ditët e fundit dhe në bashkitë e tjera, aksioni ka nisur dhe në Kukës. Kryebashkiaku Albert Halilaj u bën thirrje bizneseve dhe qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim me strukturat përkatëse, duke liruar vullnetarisht hapësirat e zëna pa të drejtë.

“Qëllimi është i qartë: të rikthejmë hapësirat publike në shërbim të komunitetit, rrugë, trotuare dhe ambiente të përbashkëta që i përkasin të gjithëve dhe që nuk mund të zihen në mënyrë të padrejtë”, thotë ai.

Sipas kryebashkiakut socialist, ky proces kërkon ndërgjegjësim qytetar dhe angazhim të përbashkët për një Kukës më të rregullt dhe më funksional.

Grupi i punës në Kukës përbëhet nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Vendor, Drejtoria e të Ardhurave, Pronave Publike, Lejeve dhe Licencave, Policia Bashkiake dhe Drejtoria e Planifikimit, Kontrollit të Zhvillimit dhe Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe IKMT.


Shtuar 8.07.2025 17:46