Pengmarrja e 21-vjeçares në Astir, Gjykata e Tiranës lë në burg Skerdi Sinën

Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Skerdi Sinën i cili u arrestua, lidhur me ngjarjen e 9 janarit të këtij viti në zonën e Astirit.

Mbrojtja ligjore e Sinës, kërkoi masën detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, ose masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, me argumentin se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë dhe nuk ka mbajtur askënd me forcë, por kjo nuk u mor parasysh nga gjykata.

Avokati Erjon Kullolli, gjithashtu tha se sa i përket tentativës së Sinës për t’iu shmangur ndalimit të policisë, ai ka qenë në gjendje ankthi dhe nuk ka ditur si të vepronte.

Kush është Skerdi Sina?

Skredi Sina nuk është emër i panjohur për autoritetet.

Në muajin janar ai u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte mbajtur peng një 21-vjeçare në një banesë të marrë me qira në Astir.

Pesë persona dyshohet se mbajtën të mbyllur në apartament 21-vjeçaren Sajma Qordja duke u shpallur në kërkim atë kohë dhe bëhet fjalë për Skerdi Sinën, Ogert Aliajn, Arnold Jahon, Anduel Aliajn dhe Joni Sadikajn. 21-vjeçarja mësohet se ishte e dashura e Sadikajt.

Ngjarja ndodhi më 9 janar në kryeqytet, kur një vajzë telefonoi në sallën operative të Policisë së Tiranës, se ishte dhunuar nga disa persona alarmoi policinë. Kjo e fundit blindoi për mbi 1 orë zonën e “Astirit” në Tiranë, pasi dyshonte se mos ishim para një rasti rrëmbimi.

Madje efektivëve të RENEA-s iu desh të zbrisnin me litar nga katet e sipërme, për të hyrë në apartament dhe shpëtuar vajzën e re. Brenda ambienteve u gjetën edhe armë e drogë.


Shtuar 5.07.2025 13:08