Policia e Tiranës, ka zbuluar një laborator falsifikimi dokumentesh për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas policisë janë arrestuar shtetasit Ylli Brahimaj, 65-vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe Pjerin Brahimaj, 45-vjeç (babë e bir), si dhe është proceduar penalisht shtetasi me iniciale Sh. L., 62-vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.
Sipas hetimeve, prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj kushtonte nga 15 000 deri në 20 000 euro.
Këto dokumente dyshohet se përdoreshin për kalime të paligjshme, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.