Në pikën kufitare Qafë-Botë, është krijuar situatë kaotike, pasi qytetarët që hyjnë nga Greqia në Shqipëri po përballen me radhë të gjata dhe pritje disaorëshe.
Pas arrestimit të 14 doganierëve grekë të dyshuar për përfshirje në kontrabandë mallrash, kontrolli kufitar në anën greke është ngadalësuar ndjeshëm.
Aktualisht, pala greke po operon vetëm me dy sportele dhe me një staf të reduktuar prej tre doganierësh, duke shkaktuar vonesa të mëdha për udhëtarët.
Pritjet shkojnë deri në tre orë, ndërsa radhët e makinave janë kilometrike.
Në anën shqiptare të pikës kufitare, puna vazhdon normalisht me tre sportele aktive, por fluksi i lartë dhe ngadalësia nga pala greke po krijojnë bllokime të konsiderueshme.