Turqia do të ndërtojë aeroplanmbajtësen më të madhe në Evropë, 16 metra më e gjatë se ajo britanike

Jo vetëm në tokë dhe ajër, tani Turqia kërkon të dominojë edhe në ujë, të paktën sa I përket anije luftarake. Agjensia për Industrinë e Mbrojtjes Turke ka projektuar një aeroplanmbajtëse të gjatë 300 metra dhe që do të ishte më e madhja në Evropë.

Duke pasur një dalje të konsiderueshme dhe pikë strategjike në Mesdhe, kjo aeroplanmbajtëse pritet të dominojë jo vetëm në Egje, por edhe më tutje.

Emri i saj pritet të jetë “Milli Uçak Gemisi” dhe do të tejkalojë ndjeshëm aeroplanmbajtësen për dronë TCG Anadolu, e cila është e gjatë rreth 232 metra. Kjo anije e re ka për qëllim të shërbejë si një qendër lundruese për aeroplanë me krahë fiks dhe helikopterë, duke zgjeruar ndjeshëm shtrirjen detare të Turqisë përtej brigjeve të saj.

Ky projekt bazohet në bashkëpunimin e suksesshëm me Spanjën gjatë fazave të hershme të projektimit të anijes ushtarake TCG Anadolu, shkruajnë mediat. Aeroplanmbajtësja do të ndërtohet në kantieret detare vendase në Stamboll, duke forcuar konsorciumin turk të kompanive në fushën e ndërtimit të anijeve.

 

Aeroplanmbajtëset më të mëdha aktive evropiane, si “Charles de Gaulle” e Francës apo “Queen Elizabeth” e Britanisë, kanë një gjatësi rreth 280 deri në 284 metra. Dizajni i ri i aeroplanmbajtëses turke jo vetëm që i tejkalon ato, por gjithashtu sinjalizon edhe ambicien për të dalë përtej kufizimeve thjesht rajonale.


Shtuar 4.07.2025 21:22