Vatra e zjarrit në landfillin e Elbasanit vijon për të tretën ditë/ Tymi ndot të gjithë zonën, nis ndërhyrja nga ajri

Vatra e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan vijon të mbetet ende aktive për të tretën ditë rresht. Teksa flakët janë ende aktive këtë pasdite ka nisur ndërhyrja nga ajri. Gjithashtu depërtimi i zjarrit në brendësi të mbetjeve, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë bërë të vështirë fikjen e zjarrit. Po ashtu është krijuar një tym toksik në të gjithë qytetin, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.

Konkretisht prej orës 16:00 të ditës së sotme, helikopterët kanë nisur operacionet ajrore mbi zonën e prekur me qëllim përshpejtimin e ndërhyrjes dhe minimizimin e rrezikut nga përhapja e mëtejshme e zjarrit në thellësinë e mbetjeve. Ndërhyrja nga ajri është bërë e domosdoshme për shkak të vështirësive në akses dhe intensitetit të flakëve që vazhdojnë të digjen në shtresat e brendshme të fushës së mbetjeve, pavarësisht hedhjes së mbi 10.500 metra kub dherash.