Pas Tiranës e Fierit, sot hapen kutitë në Durrës/ Garë brenda PD-së mes Aulon Kalasë dhe Arjan Ndojës

Këtë të enjte, pas rinumërimit në qarkun e Tiranës dhe Fierit, në orën 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, pritet të nisë procesi edhe për kutitë e Durrësit.

Në total, janë 290 kuti që do të rihapen, ku do të përfshihet edhe vota e diasporës për këtë qark.

Në këtë qark, beteja është mes Aulon Kalasë dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit fitoi me një diferencë prej 1047 votash.

Kalaja nuk u mbështet nga PD në betejën e tij për rinumërim, por u ndihmua nga Partia Lëvizja e Legalitetit, i cili ishte në koalicionin PD-ASHM.

Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të kutive të votimeve për Durrësin.

Ai kërkoi gjithashtu edhe këqyrjen e pamjeve filmike, me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.

Pritet të shihet nëse me rinumërimin e këtyre kutive, Kalaja do të mund të rikuperojë votat e nevojshme për të përmbysur rezultatin e Ndojës.


Shtuar 3.07.2025 09:20