Rama: Të nxirret urdhri i pezullimit të veprimtarisë së AKU-së, më shumë bën dëm se rregullon

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën përmbyllëse në ditën e parë të dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, një takim i rëndësishëm mes fermerëve dhe sipërmarrësve të sektorit, që synon forcimin e bashkëpunimit në funksion të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Në fjalën e tij, Rama u ndal tek problematikat që lidhen me tregtimin informal të produkteve bujqësore, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të menjëhershme të strukturave tatimore dhe pezullimin total të veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të cilin e cilësoi si një institucion që “më shumë dëmton sesa ndihmon”.

Kryeministri bëri thirrje për pezullimin e AKU-së dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm dhe përfshirjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës në vlerësimin e burimeve njerëzore që do të angazhohen në inspektime.

“Duhet të angazhojmë menjëherë strukturat e tatimeve që të kryejnë një proces paraprak sensibilizimi që të hyjnë në sekuestro të të gjithë qumështit të pafaturuar. Nuk mund të lejojmë më tregtimin e produkteve të pafaturuara që mund të sjellin pasoja katastrofike për qytetarët. Kjo i takon Ministrisë së Financave dhe duhet një sensibilizim i bizneseve, të jenë aleatë i qeverisë dhe shtetit dhe të kuptojnë që informaliteti nuk shkon deri në shëndeti.

Duhet të ndalohet veprimtaria e AKU-së, sepse më shumë se sa bën mirë, bën dëm. Duhet që të pezullohet AKU-ja dhe të ngrihet një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-së dhe bashkimin i atyre sektorialeve të vendosura tani me ligj, duhet që të kalojë nga një proces i seleksionimit të burimeve njerëzore që do të merren me inspektim dhe këtu në komision duhet të jetë pjesë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore.

AKU është shqetësimi më i madh i sipërmarrësve që janë në sektorin prodhues, por është shqetësim edhe për restorantet, kafenetë dhe pikat e tregtimet. Më shumë se bën mirë, bën dëm . Duhet që Ministria e Bujqësisë të nxjerrë urdhër të pezullimit të AKU totalisht, nuk duhet më të dalin dhe të veprojnë asgjëkundi”, tha kryeministri Rama.


Shtuar 2.07.2025 19:31

Tags: ,