Ndërsa bota pret spektaklin e Kupës së Botës 2026, një tjetër diskutim ka marrë hov dhe nuk ka të bëjë me kombëtaret favorite, por me… oraret e ndeshjeve. Arsyeja? Vapa ekstreme që pritet të godasë disa prej qyteteve pritëse në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
FIFPro, sindikata që përfaqëson mijëra futbollistë profesionistë në mbarë botën, ka ngritur zërin për atë që e cilëson si rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e lojtarëve. Miami, Monterrey, Kansas City, Orlando dhe të tjera qytete ku temperaturat në mesditë arrijnë kulmin, janë në qendër të vëmendjes. Sipas ekspertëve, zhvillimi i ndeshjeve në këto kushte mund të çojë në probleme serioze shëndetësore për futbollistët, nga dehidratimi ekstrem deri tek goditjet e të nxehtit.
“Na duhet një zgjim real,” u shpreh Alexander Bielefeld nga FIFPro, duke iu referuar përvojës së Kupës së Klubeve ku ndeshjet në kushte ekstreme patën ndikim të ndjeshëm.
Madje, disa ekspertë kanë shkuar më larg. Profesori britanik Mike Tipton ka sugjeruar që finalja e Botërorit të zhvillohet që në orën 9 të mëngjesit, një orar i pazakontë për futbollin, por ndoshta i domosdoshëm për të shmangur rrezikun.
Ndërkohë, FIFA hesht. Por presioni po rritet. Në një kohë kur shëndeti i lojtarëve përplaset me interesat komerciale dhe të drejtave televizive, bota e futbollit po pret të shohë: do të zgjedhë FIFA freskinë e përgjegjësisë apo vapën e kompromisit?