Sulmet e SHBA nuk shkatërruan programin bërthamor të Iranit? Trump reagon pas rrjedhjes së informacionit të inteligjencës: Centralet u goditën në mënyrë perfekte

Një vlerësim i inteligjencës së Pentagonit për sulmin e Amerikës ndaj Iranit të shtunën, ka hedhur dyshime mbi deklaratat se programi bërthamor ishte zhdukur.

SHBA-të goditën tre objekte bërthamore në Iran, Fordo, Natanz dhe Isfahan, me bomba shkatërruese bunkerësh të afta të depërtonin 18 metra beton ose 61 metra tokë përpara se të shpërthenin.

Por sipas raportit të inteligjencës të publikuar nga disa media prestigjioze, centrifugat e Iranit janë kryesisht “të paprekura” dhe ndikimi ishte i kufizuar në strukturat mbi tokë.

Hyrjet në dy objekte bërthamore u mbyllën dhe një pjesë e infrastrukturës u shkatërrua ose u dëmtua, por shumica e objekteve, të cilat janë thellë nën tokë, mbetën të paprekura, sipas burimeve për mediat amerikane.

Gjithashtu, vlerësohet se sulmi e ka shtyrë Iranin vetëm disa muaj prapa dhe se çdo rifillim i programit të tij bërthamor, mund të bazohet në kohën që i duhet vendit për të gërmuar dhe për të bërë riparime.

Burimet gjithashtu, konfirmuan për CBS se një pjesë e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit ishte zhvendosur para sulmeve, sipas vlerësimit të inteligjencës.

Por, presidenti amerikan Donald Trump, sulmoi mediat amerikane dhe raportimin e tyre.

Ai theksoi se kjo është një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori.

“Lajmet e rreme CNN, së bashku me New York Times që po dështon, janë bashkuar në një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori. Vendet bërthamore në Iran janë shkatërruar plotësisht! Si CNN ashtu edhe CNN po kritikohen nga publiku!”, shkroi Trump.

Gjithashtu, në një prononcim për gazetarët në Air Force One, presidenti amerikan tha se të tre centralet bërthamore në Iran u goditën “në mënyrë perfekte” dhe u shkatërruan.

Ai shton gjithashtu se, raportet e mediave amerikane janë “shumë të pahijshme” ndaj atyre që kryen sulmet.


Shtuar 25.06.2025 09:03