Zviceranët fillojnë të frikësohen: Kosova po na merr një nga talentet më premtues

Kosova ka rritur përpjekjet për të bindur një nga talentet më premtuese të mesfushës zvicerane, Leon Avdullahun.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është angazhuar personalisht për ta afruar 21-vjeçarin, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij për Basel dhe tani ka bërë hapin e madh drejt Bundesligës me TSG Hoffenheim.

Në Zvicër tashmë janë të vetëdijshëm për rrezikun e humbjes së një lojtari me potencial të jashtëzakonshëm. Avdullahu ka qenë pjesë e kombëtareve zinxhir të Zvicrës që nga grupmoshat U15 dhe konsiderohet si një prej mesfushorëve më premtues të brezit të tij.

Mediumi zviceran ‘Blick’ ka raportuar se te Zvicra duhet të kenë kujdes, pasi Kosova mund ta marrë një nga mesfushorët më premtues në shtetin helvetik.

“Kambanat e alarmit duhet të bien për trajnerin e ekipit kombëtar të Zvicrës, Murat Yakin. Kosova është e interesuar për një nga talentet më premtuese të mesfushës zvicerane dhe aktualisht po bën përparime të konsiderueshme. Fotografia që qarkullon ngjan me një moment nënshkrimi kontrate. Në të shihen Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe Leon Avdullahu, dirigjenti i mesfushës së Bazelit që fitoi dy tituj sezonin e kaluar. Të dy shikojnë drejt kamerës. Ademi i ka vendosur krahun mbi shpatullën e 21-vjeçarit dhe buzëqesh në mënyrë djallëzore, sikur të kishte realizuar një “grusht shteti”. Sikur ish-lojtari i Baselit dhe tashmë profesionisti i TSG-së të kishte vendosur të luante për Kosovën”, shkruan Blick.

“Por nuk është kështu. Sepse në janar, Avdullahu kishte deklaruar se nuk kishte marrë asnjë kontakt nga Kosova. Tani, me transferimin e tij në Bundesligë te Hoffenheim, ai papritur është vënë në radarin e presidentit të federatës. “Një kafe në Basel me yllin e futbollit Leon Avdullahu. Urime për fitimin e titullit me FC Basel dhe për transferimin te TSG”, shkroi Ademi në mbishkrimin e fotos”.

“Që nga U15, Avdullahu ka përfaqësuar Zvicrën. A do të japin rezultat përpjekjet e 63-vjeçarit Ademi? Një gjë është e qartë: Avdullahu, gjyshi i të cilit dikur jetonte në Zvicër, është një vendas i vërtetë i Solothurnit dhe ndihet më së shumti në shtëpi në Gerlafingen, një komunitet me 6,000 banorë në rrethin Wasseramt”.

“Ai ka luajtur për Zvicrën që nga niveli U15 dhe duket se është vetëm çështje kohe para se të marrë thirrjen e parë në ekipin kombëtar të të rriturve. Kushdo që flet me zyrtarët e Shoqatës Zvicerane të Futbollit (SFV) e kupton respektin që gëzon Avdullahu brenda federatës. Zvicra është e pozicionuar mirë në mesfushën qendrore, me Granit Xhakën dhe Ardon Jasharin që kryejnë rol të rëndësishëm. Por një lojtar si Avdullahu, me 71 paraqitje zyrtare në mesfushë në këtë moshë të re dhe i renditur ndër katër mesfushorët më të mirë U21 në botë, nuk ka arsye të ketë frikë nga konkurrenca”.

“Vetë Avdullahu nuk është duke menduar aktualisht se për cilën skuadër kombëtare do të luajë. Fokusi i tij është te TSG Hoffenheim, që nis përgatitjet për sezonin e ri më 4 korrik. Ai shihet si një lojtar kyç në planet e trajnerit Christian Ilzer”, shkruan Blick.


Shtuar 23.06.2025 14:27

Tags: ,