Hapen 85 kuti nga 1282/ Si është rezultati i rinumërimit në Tiranë deri më tani

Vijon procesi i plotë i rinumërimit të kutive të Qarkut të Tiranës, ku deri më tani Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka përditësuar rezultatin për 85 Qëndra Votimi.

Nga rinumërimi ka rezultuar se deri më tani Partisë Socialiste, i ishin numëruar 42 vota më shumë më 11 Maj, ndërsa Partisë Demokratike 19 vota më shumë.

Pas rinumërimit, ato vota u janë hequr këtyre dy subjekteve politike.

Ndërkohë, Partisë Mundësia, i janë shtuar 3 vota, ndërsa Koalicionit Euroatlantik, i janë shtuar 5 vota pas rinumërimit, ndërsa Lëvizjes Bashkë i janë hequr dy votë.

 

 

Ndërkohë, sa i përket votave preferenciale, rezultati është përditësuar për 83 Qendra Votimi, ku Jorida Tabakut i janë shtuar 11 vota, ndërsa Asllan Dogjanit i janë shtuar 10 vota.

Sa i përket votave që u janë hequr, me më së shumri nga demokratët rezulton Petrit Gjorgji me 15 vota dhe Edith Harxhi me 14 vota.

Sa u përket socialistëve, pas rinumërimit Fatmir Xhafajt i janë hequr 32 vota, Sofika Lleshit 23 vota dhe Kejsi Elezit 22 vota, ndërsa Ermonela Felaj i janë shtuar 5 vota.

Kutitë që janë rinumëruar deri më tani i përkasin Kamzës.

Kujtojmë se procesi i rinumërimit po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti”. Për qarkun më të madh në vend, atë të Tiranës do të rihapen në total 1282 kuti votimi për subjektet politike dhe kandidatët.

Procesi në kryeqytet pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.


Shtuar 19.06.2025 09:29