Të martën pallati i Sportit “Farie Hoti” do të hapë dyert jo për tifozët, por për politikën për të ndjekur rezultatin e një ndeshje që u mbyll me 11 maj, por që nuk pranohet nga Partia Demokratike.
Anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ i dhanë dritën jeshile hapjes së 2 mije e 240 kutive për t’i kaluar në një sitë të hollësishme verifikimi dhe rinumërimi.
96 kutitë e Elbasanit do të jenë të parat që do të hapen, por jo për tu rinumëruar, por për të hetuar nëse treni bullgar është ndaluar në stacionin e Gramshit dhe Peqinit me 11 maj siç pretendon opozita.
Kësaj dileme do i japë fund stafi i KQZ që do te krahasojë nëse në kutitë e përzgjedhura për hetim ka më shumë vota sesa zgjedhës që janë paraqitur në qendrat e votimit.
Pasi të mbyllet hetimi për qarkun e Elbasanit do nisë procesi maratonë i rinumërimit i të gjitha kutive të qarkut Tiranë dhe Fierit dhe 275 kutive te qarkut Durrës, ku fillimisht do të lexohet vota për partitë garuese e më pas në një raund të dytë do të numërohet vota e kandidatëve.
Në kampin blu, ata që humbën shpresojnë që fati ti buzëqeshë pas pretendimeve se vota e tyre është trafikuar brenda llojit, por pritshmëritë e partisë dukshëm shkojnë në një kah të kundërt me atë të kandidatëve.
“Si përfaqësues ligjor i PD përfaqësoj vetëm interesin e Partisë Demokratike dhe qëllimin që ka PD për të faktuar farsën elektorale kandidatët e PD janë në të drejtën për të ngritur çdo lloj pretendimi që ka të bëjnë me rezultatin dhe renditjen e tyre në liste përfundimtare”, tha Logu.
Në kampin socialist, pas fitores së betejave në KAS tensioni për procesin e rinumërimit nuk ndihet.
“Partisë Demokratike iu krijua gjithë komoditeti për të gjetur provat dhe për t’i sjellë para KAS dhe nuk e bëri në asnjë moment, çdo pretendim ishte mbi hipoteza mbi denoncime në rrjete sociale”, tha Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e PS në KQZ.
Beteja për zgjedhjet është zhvendosur ne Kolegjin Zgjedhor, shpresa e fundit e demokratëve për të rrëzuar zgjedhjet.