Kryetarja e Gjykatës Kushtetues, Holta Zaçaj, ka reaguar për gazetarët sa u përket komenteve të kryeministrit Edi Rama, mbi kërkesën e Unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro.
Zaçaj u shpreh se ajo i qëndron asaj ç`ka deklaruar institucioni që drejton një ditë më parë, teksa thekson se komentet e palëve politikë duhet të kenë kufirin te kritika dhe jo të kalojnë në presion.
Rama e quajti shaka një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese kohë më parë sa i përket pagës së gjyqtarëve, por Zaçaj thotë se deklarata të tilla janë të zakonshme nga palët që përfshihen në proces.
Reagimi i Zaçajt:
I qëndrojmë asaj që nxorëm në njoftimin për shtyp. Ne vlerësojmë se çdo vendim i joni mund të jetë objekt kritikash. Dhe unë e kam theksuar faktin se e drejta e lirisë së shprehjes nënkupton pikërisht këtë. Por kufiri mbetet deri tek kritika, jo te presioni.
Nuk besoj se jemi tek ky elementi i moszbatimit. Ne kur kemi pasur mundësi i kemi thënë, sigurisht jam shprehur që zbatimi i vendimeve të Kushtetueses tregon stadin e demokracisë. Sigurisht kemi ende punë për të bërë, por në autoritetin e vet, vendimet tona janë të zbatueshme. Ka vendime të caktuara që politika merr koston e vetë nëse nuk i zbaton, kur flasim për pushtete të tjera.
E rëndësishme është që Gjykata funksionon, dolëm me një njoftim sepse detyra jonë është të garantojmë publikun se Gjykata funksionon e pavarur, e paanshme, sigurisht që mendimet që vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe të mediave, ne i çmojmë, por në thelb është e rëndësishme që publiku të jetë i informuar, të marrë informacionin e duhur e nga ana jonë të sigurojmë publikun që jemi të pavarur dhe të paanshëm, të bëjmë punën tonë, pavarësisht se kush janë interesat dhe palët e përfshira në proces.
Janë deklarata të zakonshme që ne i kemi parë nga të gjitha palët që përfshihen në proces, përfshi edhe median, dua ta theksoj dhe konsideroj. Sepse ndonjëherë jeni ju të medias që i jepni zë më shumë se ç’duhet ndonjëherë mendimeve, opinioneve që jepen për vendimet tona. Megjithatë për sa kohë vjen në kuadër të lirisë së medias dhe të shprehjes, kjo është një vlerë e shtuar, pasi unë jam një partizane vetë, por edhe trupa.
Kështu që atë që ne çmuam të rëndësishme, detyrimin ndaj publikut, për ta informuar dhe garantuar për funksionin tonë të pavarur dhe të paanshëm, ne e kryem. Pjesa tjetër mbetet për mënyrën se secili nga pushtetet mendon të veprojë dhe e sheh detyrën e tij, por për ne kjo është pjesa më e rëndësishme.