Izraeli mbyll ambasadat në të gjithë botën pas sulmeve ndaj Iranit, thirrje qytetarëve të tij që të jenë vigjilentë

Pas nisjes së sulmeve të gjera ajrore ndaj Iranit, Izraeli ka marrë masa të jashtëzakonshme duke mbyllur të gjitha ambasadat e tij në botë dhe duke ndaluar përkohësisht ofrimin e shërbimeve konsullore.

Ministria e Jashtme izraelite i ka kërkuar qytetarëve izraelitë që ndodhen jashtë vendit të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin shfaqjen e simboleve izraelite apo hebraike në ambiente publike dhe të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet lokale të sigurisë në rast se përballen me situata të dyshimta apo të rrezikshme.

Gjithashtu, u është kërkuar të gjithë izraelitëve që të plotësojnë një formular për të njoftuar mbi vendndodhjen dhe gjendjen e tyre, një praktikë që është përdorur edhe pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, për të mundësuar koordinimin e kthimit të rezervistëve dhe organizimin e fluturimeve të posaçme.

Autoritetet izraelite nuk kanë saktësuar se për sa kohë do të zgjasë mbyllja e përfaqësive diplomatike. Kjo masë vjen mes tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Iranit, duke ngritur alarmin për sigurinë globale.


Shtuar 13.06.2025 14:30