Stefano Addeo, mësuesi italian që shkaktoi bujë me një postim në rrjetet sociale ku i uronte vdekjen vajzës së kryeministres Giorgia Meloni, ka dalë publikisht duke kërkuar falje dhe duke thënë se postimi nuk ishte i tij, por i krijuar nga inteligjenca artificiale ChatGPT.
Në një intervistë për La Repubblica, Addeo tregoi se, i irrituar nga lajmet për qëndrimin e qeverisë italiane ndaj luftës në Izrael, kërkoi ndihmën e AI-së për të shkruar një mesazh kritik ndaj Melonit. Pa e lexuar me vëmendje, ai e publikoi menjëherë mesazhin e përftuar – një vendim që, siç thotë vetë, do ta ndjekë gjatë.
“Ishte një gabim i rëndë. Nuk e mendova. Kur e lexova më pas, u tmerrova. E fshiva të nesërmen, por dëmi ishte bërë,” tha ai, duke shtuar se është i tmerruar dhe nuk guxon të dalë më nga shtëpia.
Addeo, i cili pretendon se është një person i përkushtuar ndaj kauzave humanitare dhe ndihmës për fëmijët, theksoi se ajo që ndodhi është në kundërshtim me vlerat e tij.
“Jam katolik, jam kundër dhunës, mbroj të drejtat e kafshëve, jam vegjetarian. Nuk jam njeri që mendon apo shkruan gjëra të tilla.”
Mësuesi rrëfeu se është përballur me pasoja të rënda: është ndjekur në rrugë, i kanë hedhur domate në derë dhe po përballet me hetime nga Ministria e Arsimit. Drejtoresha e tij ka zgjedhur të distancohet nga rasti, ndërsa vetë ai thotë se ka mbështetjen e nxënësve.
Intervista për La Repubblica:
Profesor, e kuptoni rëndësinë e asaj që ndodhi?
“Kam bërë një gabim të madh. Postimi ishte i së premtes në mbrëmje, ndërsa të shtunën në mëngjes e fshiva.”
Në postime të tjera, ju u dëshironit të njëjtin fat fëmijëve të Tajanit dhe Salvinit, si palestinezëve…
“Ato janë ilustrime që i gjej dhe i shpërndaj, nuk më kujtohet të kem shtuar ndonjë koment personal. Por tani po keqpërdoret, edhe njerëzit e pafajshëm bëjnë gabime.”
Si ndodhi që formulove mendime të tilla?
“Nuk isha unë, ishte inteligjenca artificiale. Të premten pashë në televizor që qeveria nuk po distancohej nga lufta në Izrael; i kërkova ChatGPT që të më shkruante një mesazh kundër Melonit. Dhe doli ajo gjë e tmerrshme. E postova. Kjo ndodhi, tani nuk di më çfarë të bëj.”
Nuk menduat fare para se ta publikoni?
“Mendja ime ndoshta nuk do ta kishte krijuar atë mesazh. Kur e lexova për një moment thashë: o Zot, çfarë ligësie… Por të premten në mbrëmje kisha planifikuar të postoja diçka, dhe të shtunën në mëngjes kuptova se nuk mund të vazhdoja normalisht me fëmijët. Më duhej më shumë kohë për ta përballuar.”
Po flasim për një feminicid të një vajze të re…
“Natyrisht, më vjen shumë keq për atë vajzë. ChatGPT doli më keqdashëse sesa mendoja. Unë jam katolik, mbroj të drejtat e kafshëve, ndihmoj fëmijë në spitale, jam vegjetarian. Vlerat e mia janë shumë larg asaj që shkrova. Jam i majtë, por kjo nuk justifikon mesazhe të tilla. Duhet të fshija të gjitha rrjetet, njerëzit duan të më sulmojnë. Po përballem me pasoja shumë të rënda.”
Çfarë lloj pasojash?
“Të dielën dola me qenin, më njohën nga një makinë dhe më ndoqën. M’u desh të hyj me vrap në shtëpi.”
Keni denoncuar ndonjë gjë?
“Jam i mbyllur në shtëpi, pres që të më shoqërojë ndonjë person i afërt. Më hedhin domate në derë.”
Ju jeni mësues. Si do t’u shpjegoni nxënësve këtë?
“Nga nxënësit kam mbështetje: më njohin dhe më duan. Kam ndjekur kurse kundër bullizmit online dhe mendoja se isha imun ndaj rrjeteve sociale, por kjo doli jashtë kontrollit. Më vjen keq që profesioni im është vënë në pikëpyetje; ministria ka nisur hetime, ndërsa drejtoresha ime nuk më mbështet. Shpresoj që të ketë mirëkuptim.”
A mund të ketë pasoja ligjore?
“Më shqetëson më shumë siguria ime personale.”
Keni fëmijë?
“Jo, jetoj me nënën time 90-vjeçare që kujdesem për të. Dy vite më parë, në një zjarr në shtëpi, humbi babai im, ishte një tragjedi e madhe.”
Nëse do ta takonit kryeministren Meloni, çfarë do t’i thoshit?
“Do ta përqafoja, do i kërkoja falje dhe do qaja me të. Vajzës së saj i uroj të gjitha të mirat dhe do t’i thosha të jetë shumë e kujdesshme me rrjetet sociale.”